RRETH NESH
KOMISIONERI PËR MBIKËQYRJEN E SHËRBIMIT CIVIL
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil është person juridik publik, i pavarur, përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil në Republikën e Shqipërisë.
Institucioni është krijuar me ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, dhe ushtron kompetencat e tij në përputhje me këtë ligj, aktet nënligjore në zbatim të tij, si dhe me Kodin e Procedurave Administrative.
Komisioneri mbikëqyr zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil në të gjitha institucionet që që përfshihen në fushën e veprimit të ligjit për shërbimin civil, si me iniciativë të tij, ashtu edhe mbi bazën e kërkesave apo informacioneve të paraqitura.
MISIONI
Misioni i Komisionerit është garantimi i zbatimit të drejtë dhe të njëtrajtshëm të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar gjatë të gjithë procesit të administrimit të shërbimit civil.
Përmes ushtrimit të kompetencave të tij, institucioni synon të sigurojë stabilitetin e marrëdhënies së shërbimit civil, mbrojtjen e nëpunësit nga veprimet e paligjshme dhe forcimin e profesionalizmit në administratën publike.
VIZIONI
Vizioni i Komisionerit është ndërtimi i një administrate publike të qëndrueshme, profesionale, të bazuar në meritë, me integritet moral dhe të paanshme politikisht.
Administrimi i shërbimit civil duhet të udhëhiqet nga parimet e barazisë së shanseve, mosdiskriminimit dhe transparencës.
Institucioni i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil drejtohet nga znj. Lefterije Lleshi (Luzi), e zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, me Vendimin nr. 103/2025, datë 04.12.2025.


