BAZA LIGJORE
Ligji për nëpunësin civil, ka dalë i bazuar në nenin 107 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku parashikohet:
- Nëpunësit publikë zbatojnë ligjin dhe janë në shërbim të popullit.
- Nëpunësit në administratën publike caktohen me konkurs, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji.
- Garancitë e qëndrimit në detyrë dhe trajtimi ligjor i nëpunësve publikë rregullohen me ligj.
- Veprimtaria e Komisionerit mbështetet në zbatimin e legjislacionit shqiptar; rekomandimeve të Rezolutës vjetore të Kuvendit të Shqipërisë për vlerësimin e veprimtarisë së këtij institucioni, si edhe detyrimeve që burojnë nga bashkëpunimi ndërkombëtar.
- Kompetencat e Komisionerit lidhur me mbikëqyrjen e administrimit të shërbimit civil parashikohen në dispozitat e neneve 14, 15 dhe 16 të ligjit për nëpunësin civil dhe renditen si më poshtë:
Neni 14
Kompetencat e Komisionerit
- Komisioneri mbikëqyr, kryesisht ose me kërkesë të institucioneve, zbatimin e ligjit në administrimin e shërbimit civil në të gjitha institucionet që punësojnë nëpunës civilë.
- Në ushtrimin e kompetencave, Komisioneri:
a) kryen hetim të plotë administrativ, sipas Kodit të Procedurave Administrative;
b) kërkon dhe merr nga institucionet çdo informacion të nevojshëm për kryerjen e detyrave të tij;
c) inspekton dosjet dhe çdo dokument, lidhur me administrimin e shërbimit civil;
ç) kërkon, kryesisht apo me kërkesë, dëshmi të çdo nëpunësi apo funksionari të institucionit;
d) këqyr dhe inspekton çdo praktikë administrimi në çdo institucion që punëson nëpunës civilë. - Institucionet që punësojnë nëpunës civilë, si dhe çdo funksionar publik ose nëpunës civil, që kanë kompetenca në administrimin e shërbimit civil, apo kanë informacion në këtë fushë, kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Komisionerin.
Neni 15
Mbikëqyrja
- Nëse gjatë mbikëqyrjes, Komisioneri çmon se ka shkelje të ligjit në administrimin e shërbimit civil, me vendim me shkrim, paralajmëron institucionin përkatës, duke i lënë detyrat për përmirësimin e situatës dhe duke përcaktuar një afat të arsyeshëm për zbatimin e tyre.
- Në rast të moszbatimit të vendimit të dhënë, sipas pikës 1 të këtij neni, Komisioneri mund të gjobisë nëpunësin përgjegjës për moszbatimin e masave. Masa e gjobës është nga 20 për qind deri në 30 për qind të pagës mujore të nëpunësit përgjegjës. Në rast të moszbatimit të mëtejshëm të vendimit, Komisioneri mund të vendosë një gjobë tjetër deri në 50 për qind të pagës mujore të personit përgjegjës.
- Vendimi për dhënien e gjobës mund të ankimohet në gjykatën kompetente për mosmarrëveshjet administrative.
Neni 16
Mbledhja e gjobave
1. Vendimi i gjobës ekzekutohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative
- Ligji Nr. 44/2015 “Kodi i procedurave administrative i Republikës së Shqipërisë”.
- Rregullore e brendshme “Mbi procedurat e mbikëqyrjes/inspektimit”, miratuar me vendimin nr.17 datë 18.03.2015, ndryshuar me vendimin nr.158 datë 30.12.2022, të Komisionerit.