Emërimi i përkohshëm në kategorinë ekzekutive realizohet si më poshtë:

Kandidatët fitues që nuk janë emëruar në një pozicion të rregullt sipas parashikimeve ligjore mund të emërohen në mënyrë të përkohshme nga njësia përgjegjëse, në një pozicion pune i cili për arsye të parashikuara nga ligji është vakant përkohësisht.

  • Për administratën shtetërore, njësia e burimeve njerëzore e institucionit ku krijohet pozicioni i punës vakant në mënyrë të përkohshme, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike, i drejtohet DAP-it duke e njoftuar për pozicionin e punës dhe shkakun e vakancës së përkohshme.
  • Njësia përgjegjëse, përzgjedh nga grupi i administrimit të përgjithshëm/posaçëm, që i përshtatet kërkesave të vendit të punës, kandidatin fitues që ka mbetur në listë pritje. Përzgjedhja dhe njoftimi i kandidatëve bëhet në bazë të renditjes së tyre në listë sipas pikëve.
  • Nëse kandidati fitues jep pëlqimin për emërimin e përkohshëm, njësia përgjegjëse nxjerr aktin e emërimit të përkohshëm në pozicionin e punës të propozuar, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike.
  • Emërimi i një kandidati fitues në mënyrë të përkohshme nuk i heq atij të drejtën për t’u emëruar në mënyrë të përhershme në rast të krijimit të një pozicioni pune të lirë, gjatë kohës së vlefshmërisë së listës.
  • Me përfundimin e emërimit të përkohshëm, kandidati fitues, detyrohet të bëjë dorëzimet përkatëse brenda 5 (pesë) ditëve pune.
  • Emërimi i përkohshëm, pavarësisht kohëzgjatjes së tij nuk konsiderohet periudhë prove, në rast se kandidati fitues emërohet më pas në pozicion pune në mënyrë të përhershme.

E njëjta procedurë ndiqet nga njësia përgjegjëse edhe në rastet e emërimit në mënyrë të përkohshme të në pozicione pune të kategorisë se ulët dhe të mesme drejtuese nëpërmjet emërimit të:

  1. nëpunësve civilë të cilët janë larguar nga shërbimi civil si pasojë e mbylljes apo ristrukturimit të institucionit;
  2. nëpunësve civilë të cilëve u ka përfunduar afati i pezullimit në përfundim të të cilit nuk janë rikthyer në vendin e mëparshëm apo nuk janë transferuar në një vend tjetër dhe që janë regjistruar në listën e cila administrohet nga njësia përgjegjëse;
  3. nëpunësve civilë që kanë fituar të drejtën për rikthim në detyrë përmes një vendimi gjyqësor të formës së prerë dhe janë regjistruar në listë pritjeje.