Lëvizja paralele për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese është një procedurë disi ndryshe nga ajo e ngritjes në detyrë, sepse në të nuk përfshihet faza e testimit me shkrim.
Konkurrimi për procedurën e lëvizjes paralele përfshin dy faza:
- verifikimin paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për vendin/vendet e lira, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim;
- vlerësimin e kandidatëve, ku përfshihen vlerësimi i përvojës në punë, trajnimet, kualifikimet e lidhura me fushën përkatëse, si dhe vlerësimet pozitive dhe intervista e strukturuar me gojë.
Kushtet minimale që duhet të plotësojë kandidati për të kaluar procedurën e verifikimit paraprak janë:
- të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori për të cilën aplikon;
- të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
- të ketë të paktën vlerësimin e fundit “Mirë” apo “Shumë mirë”;
- të plotësojë kushtet dhe kërkesat e posaçme të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.
Shpallja është e hapur për të gjithë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori në të gjitha institucionet, pjesë e shërbimit civil. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës së përcaktuar në shpalljen për vendin e lirë. Kjo datë përcaktohet duke siguruar që afati i dorëzimit të dokumentacionit të mos jetë më i vogël se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes.