
Në selinë e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, u zhvillua një takim pune me
pjesëmarrjen e Komisioneres, znj. Lefterije Lleshi (Luzi) dhe Drejtorit të Përgjithshëm të
Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) z. Klevis Hysa.
Në takim u diskutua në lidhje me metodologjinë e re të publikimit të vendeve të lira të punës, për
të gjithë administratën publike në përgjithësi, ku përfshihet edhe sistemi i shërbimit civil,
nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, ndërkohë që në praktikën aktuale publikimi realizohet
përmes faqes zyrtare të AKPA-së.
Takimi u organizua duke marrë parasysh disa kërkesa/ankesa të ardhura pranë Komisionerit, nga
institucione të pavarura dhe njësi të vetëqeverisjes vendore, për domosdoshmërinë e asistencës
teknike në lidhje me procedurën që do të ndiqet në këtë proces të administrimit të shërbimit civil.
Gjatë takimit u diskutua për zgjidhjen e problematikave të adresuara me qëllim që të sigurohet
zbatimi i unifikuar i këtij procesi, në të gjitha tipologjitë e institucioneve të sistemit të shërbimit
civil dhe u darkordësua për mbledhje të përbashkëta në vijimësi, midis institucionit të
Komisionerit dhe AKPA-së, si edhe përfaqësuesve të institucioneve të pavarura dhe njësive të
vetëqeverisjes vendore.
Kjo tipologji institucionesh është përzgjedhur për t’u përfshirë në këtë proces, duke vlerësuar se
kanë më shumë nevojë për asistencë në këtë drejtim, pasi për administratën shtetërore ky proces
realizohet nga DAP, që është një institucion i specializuar në këtë fushë.
Takimet do të vijojnë të zhvillohen në selinë e Komisionerit sipas një kalendari të dakordësuar
nga palët.
Komisioneri vlerëson se ky moment tranzicioni, në lidhje me metodolologjinë e publikimit të
pozicioneve të lira dhe të gjitha njoftimeve që kanë lidhje me procesin e rekrutimit, duhet të
zhvillohet me kujdes, duke i asistuar institucionet, me qëllim që të mos krijohen pengesa në
zbatimin e ligjit për nëpunësin civil.

