Lëvizja paralele për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese është një procedurë disi ndryshe nga ajo e ngritjes në detyrë, sepse në të nuk përfshihet faza e testimit me shkrim.

Konkurrimi për procedurën e lëvizjes paralele përfshin dy faza:

  • verifikimin paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për vendin/vendet e lira, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim;
  • vlerësimin e kandidatëve, ku përfshihen vlerësimi i përvojës në punë, trajnimet, kualifikimet e lidhura me fushën përkatëse, si dhe vlerësimet pozitive dhe intervista e strukturuar me gojë.

Kushtet minimale që duhet të plotësojë kandidati për të kaluar procedurën e verifikimit paraprak janë:

  • të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori për të cilën aplikon;
  • të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
  • të ketë të paktën vlerësimin e fundit “Mirë” apo “Shumë mirë”;
  • të plotësojë kushtet dhe kërkesat e posaçme të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.

Shpallja është e hapur për të gjithë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori në të gjitha institucionet, pjesë e shërbimit civil. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës së përcaktuar në shpalljen për vendin e lirë. Kjo datë përcaktohet duke siguruar që afati i dorëzimit të dokumentacionit të mos jetë më i vogël se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes.